Euro prek nivelin më të ulët historik përballë lekut, vijon forcimi i monedhës shqiptare

Euro ka humbur pikë përballë monedhës tonë kombëtare dhe në kursin zyrtar të Banka e Shqipërisë këmbehet me 96.1 lekë.
Rënia e monedhës europiane është pjesë e një cikli më të gjerë dobësimi të disa monedhave kryesore kundrejt lekut. Edhe dollari amerikan ka pësuar një rënie të mëtejshme, duke u këmbyer me 82.6 lekë, ose 0.3 lekë më pak se në përditësimin e mëparshëm.
Në të njëjtën linjë kanë lëvizur edhe dollari australian, dollari kanadez dhe juani kinez, të cilat gjithashtu kanë shënuar rënie të lehtë në raport me monedhën shqiptare.
Forcimi relativ i lekut lidhet shpesh me disa faktorë, mes tyre rritja e hyrjeve valutore nga turizmi, investimet e huaja direkte si dhe remitancat nga emigrantët. Gjatë viteve të fundit, sidomos në sezonet turistike, tregu valutor është ndikuar ndjeshëm nga fluksi i valutës së huaj në ekonomi.
Ky trend ka ndikime të ndryshme në ekonomi. Nga njëra anë, një euro më e dobët favorizon importet dhe ndihmon në frenimin e inflacionit, pasi produktet e importuara bëhen relativisht më të lira për konsumatorët shqiptarë.
Nga ana tjetër, zhvlerësimi i monedhës europiane mund të ndikojë negativisht te eksportuesit dhe sektorët që gjenerojnë të ardhura në euro, të cilët përballen me më pak të ardhura në lekë për të njëjtën sasi shitjesh.




