Europol: Rrjetet kriminale shqiptare forcojnë ndikimin në trafikun e kokainës, zbulohet edhe skema e mashtrimeve me call center-at

Agjencia Evropiane e Policisë, Europol, ka publikuar raportin e dytë mbi rrjetet kriminale që përbëjnë kërcënim për Bashkimin Evropian, ku theksohet roli i rëndësishëm i grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në skemat e mashtrimeve financiare.
Sipas raportit, organizatat kriminale shqiptare kanë zgjeruar praninë e tyre në Amerikën Latine, duke krijuar lidhje të qëndrueshme me kartelet e drogës dhe duke organizuar dërgesa shumëtonëshe të kokainës drejt porteve kryesore të Evropës.
Europol vlerëson se mafia italiane ‘Ndrangheta përdor rrjete kriminale shqiptare për të mbikëqyrur marrëveshjet në terren në Amerikën Latine, duke forcuar kontrollin mbi zinxhirin e trafikut të drogës, nga burimi deri te shpërndarja në tregun evropian.
Raporti përshkruan edhe një rrjet kriminal shqiptar, të organizuar mbi baza klanore, që merrej me trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave. Ky rrjet bashkëpunonte me organizata të tjera kriminale brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa drejtuesit koordinonin operacionet përmes komunikimeve të enkriptuara.
Në një tjetër rast të analizuar, Europol evidenton bashkëpunimin mes një rrjeti kriminal shqiptar dhe kartelit ekuadorian “Los Lobos”. Sipas raportit, anëtarët shqiptarë udhëtonin rregullisht në Ekuador për të negociuar marrëveshje, ndërsa droga fshihej në ngarkesa të ligjshme frutash dhe transportohej drejt Evropës përmes kontejnerëve.
Përveç trafikut të drogës, raporti ngre shqetësimin edhe për mashtrimet financiare. Europol zbulon se një rrjet kriminal operonte disa call center-a në Shqipëri, të organizuar në mënyrë profesionale dhe me rreth 450 punonjës.
Sipas agjencisë, përmes reklamave në rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit promovoheshin platforma investimi që dukeshin të ligjshme. Punonjësit kontaktonin viktimat në gjuhën e tyre amtare, fitonin besimin e tyre dhe i bindnin të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha parash.
Raporti thekson se viktimat ishin nga e gjithë Evropa dhe vende të tjera të botës, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet në të paktën 50 milionë euro. Rrjeti kriminal u godit dhe u shkatërrua gjatë vitit 2026, pas një hetimi ndërkombëtar dyvjeçar.




