Fasoneria private në Fier i pushoi nga puna duke i mashtruar, 70 punonjëset protestojnë për rikthimin e tyre (VIDEO)
70 gra , punonjëse të një fasonerie në Fier, “ Ozgun Kan Albania” kanë protestuar mëngjesin e kësaj të premteje për largimin e tyre nga puna.
Ato kanë pohuar se prej më shumë se dy muajsh nuk janë paguar, ndërkohë që i kanë larguar nga puna me premtimin se do të rikthehen, gjë që nuk ka ndodhur.
Përballë kësaj situate dëshpëruese punonjëset njëherazi kanë apeluar për zgjidhje të shpejtë të kësaj situate.
“Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme për të kontaktuar administratoret e fasonerisë , asnjë kontakt nuk kemi pasur me ta”, kanë thënë punonjëset ndërsa theksojnë se zgjidhje nuk kane gjetur as në zyrën e punës.
“Shqetësimin tonë na kanë thënë ta zgjidhim në gjykatë”, janë shprehur plot indinjatë punonjëset e pushuara nga puna.
Më tej ato janë shprehur se nuk kanë mundësi financiare pasi prej muajsh jetojnë të papaguara në kushte mbijetese.
Ato kanë kërkuar nëpërmjet mediave ndihmën e shtetit për zgjidhjen e kësaj situate.