Fasule pa treg në Fier, fermerët në vështirësi: “Punojmë gjithë vitin dhe nuk nxjerrim dot as shpenzimet”

Qindra tonë fasule të prodhuara këtë vit rrezikojnë të mbeten pa u shitur në fshatin Ndërmënas të Fierit.
Sezoni i vjeljes ka nisur, por fermerët thonë se mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta po i çojnë drejt falimentimit. Disa prej tyre kanë ende sasi të pashitura nga viti i kaluar, ndërsa prodhimi i ri po mbush çdo ditë magazinat.
“Prodhimi është shumë i mirë, por çmimi prej rreth 80 lekësh për kilogram nuk mbulon as shpenzimet. Kemi punuar gjithë vitin dhe nuk dimë ku ta shesim”, shprehet fermeri Klevis Kule.
Në një zonë ku bujqësia dhe blegtoria janë burimi kryesor i të ardhurave, fermerët thonë se po përballen me të njëjtën problematikë si në tregun e drithërave. Kostot e plehrave kimike, pesticideve, farërave dhe karburantit janë rritur ndjeshëm, ndërsa çmimi i shitjes së prodhimit mbetet i ulët.
“Plehrat, pesticidet dhe nafta janë bërë shumë të shtrenjta. Punojmë gjithë vitin dhe në fund nuk nxjerrim dot as shpenzimet”, thotë një tjetër fermer.
Fermerët ngrenë shqetësimin edhe për konkurrencën nga produktet e importit, të cilat sipas tyre shiten me çmime më të ulëta dhe zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut vendas.
“Fasulja është një kulturë që kërkon shumë punë deri sa të dalë në treg. Ne punojmë mbi 150 hektarë tokë, por ata që e kanë tokën me qira nuk përfitojnë nga skema e naftës dhe detyrohen ta blejnë me çmimin e tregut”, shprehet Kule.
Fermerët kërkojnë rishikimin e skemës së subvencionimit, veçanërisht për naftën bujqësore, në mënyrë që mbështetja të përfitohet nga fermeri që punon tokën, pavarësisht nëse ajo është në pronësi apo me qira.
Gjithashtu, ata kërkojnë uljen e kostove të inputeve bujqësore dhe ngritjen e pikave të grumbullimit në zonë, me qëllim që prodhimi vendas të mos mbetet pa treg dhe puna e një viti të mos përfundojë me humbje.




