Fatmir Popja, kryetar i ri i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan
Pas më shumë se tri dekadash në shërbim të informacionit, gazetari i njohur Fatmir Popja është zgjedhur kryetar i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan. Ai merr këtë detyrë pas dorëheqjes së Besim Dybelit, i cili e ka drejtuar unionin për shumë vite me përkushtim dhe devotshmëri.
Në procesin e votimit mori pjesë edhe kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, i cili vlerësoi kontributin e unionit të Elbasanit dhe u shpreh i bindur se nën drejtimin e Popjas kjo traditë do të vijojë me sukses.
Popja është një nga figurat më të respektuara të medias shqiptare. Ai ka qenë pjesë e redaksive kryesore në vend si News 24, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb, RTSH, gazetat sportive etj., ndërsa aktualisht mban postin e drejtorit të përgjithshëm të portalit AlbaniaExpress.al. Gjatë karrierës ka realizuar mijëra shkrime e intervista, ka moderuar emisione dhe është fitues i disa çmimeve prestigjioze në fushën e gazetarisë.
Me një eksperiencë të pasur dhe një karrierë të ndërtuar mbi profesionalizëm, korrektësi dhe integritet, Popja pritet të sjellë një frymë të re në përfaqësimin e gazetarëve të Elbasanit. Zgjedhja e tij shihet si një mesazh i qartë se në gazetari, përkushtimi dhe ndershmëria shpërblehen.




