Fazani i egër rikthehet në Parkun e Divjakës

Rreth 30 çifte fazanësh të egër janë lënë të lirë në habitatin natyror të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Individët e lëshuar janë gati për folenizim dhe shtimi i fazanit do të mbikqyret nga banorët e zonës.
Ata thonë se në bashkëpunim me shoqatat e gjuetarëve do të ruajnë këtë popullatë fazanësh dhe do të kujdesen edhe për hedhjen e ushqimit. Kjo specie e egër është hedhur në kufirin e zonës së lirë të gjuetisë midis Libofshës dhe pjesës jugore të parkut kombëtar.
30 vjet nga zhdukja e tyre, ripopullimi i fazanit është në fazën e parë të shtimit të tyre. Federata Shqiptare e Gjuetisë ka zgjedhur habitatin e duhur natyror për të lëshuar fazanët, ndërsa pas disa muajsh do të lëshohen edhe disa çifte thëllëzash të fushës.
Ata i bëjnë thirrje gjuetarëve dhe banorëve të zonës të kujdesen deri në shtimin e popullatës së fazanëve, pasi kjo është periudha e duhur.
“Prandaj po hedhim në këtë kohë sepse janë në kushtet e pjelljes dhe këta direkt fillojnë foletë e tyre, shumohen. Në qoftë se ne sot hodhëm 30 fazanë, në qoftë se shikojmë dhe sa mund të rriten, sa mund të mos rriten kështu, ne në Tetor themi që mund t’i kemi mbi 100 fazanë. Po vitin tjetër bëhen 500 dhe 600 fazanë”, është shprehur president i Federatës Shqiptare të Gjuetisë Themi Perri.
“Kjo lloj specie është mbarështuar edhe më parë me sukses në këtë lloj territori dhe e dimë që dhe pjesa që është e punuar do të mbillet me misër, gjë që do t’i shërbejë edhe për maskim edhe si burim ushqimi”, shtoi Enton Mele.
Thëllëza, derri dhe lepuri i egër janë lëshuar në natyrë nga Shoqata e Gjuetarëve disa vite më parë, por gjuetia e paligjshme solli zhdukjen e tyre.
Sot gjahtarët kërkojnë sa më shpejt nxjerrjen e ligjit të ri, pasi janë shtuar në masë kafshët e egra duke prishur raportin midis specieve të tjera.
“Gjuetia e paligjshme që gjuhet natën dhe jashtë sezonit, është shumë kriminale. U gjuajt pa ligj, edhe gjuetarët bënë gabimet e tyre që gjuajtën kohë pas kohë”, tha kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve në Peqin, Ahmet Deliu.
Fazanët kane qenë pjesë mjaft e rëndësishme e ekosistemit të Parkut Kombëtar dhe së shpejti disa çifte të tjera do të hidhen edhe në pjesën e brendshme të pyllit në Divjakë.
Pas 12 vitesh në Shqipëri, gjuetia është e ndaluar, ndërsa në Qershor mbaron moratoriumi dhe pritet rishikimi i ligjeve të gjuetisë.