Fier: Arrestohet babai i kandidates për blerje votash, nën hetim edhe nënkryetari i një subjekti politik në Lushnjë për kanosje për votë

Fier – Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë të ditur se si rezultat i një hetimi njëmujor nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është dokumentuar një rast i blerjes së votave në qarkun Fier.
Në përfundim të hetimeve, është ekzekutuar urdhri i ndalimit për shtetasin Pandeli Bozha, 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Sipas policisë, ai dyshohet se i ka dhënë shuma parash shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës në favor të një kandidateje të një subjekti politik.
Bozha, i cili është babai i kandidates së Partisë Socialdemokrate, Limonera Bozha, e cila është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Tom Doshi, dyshohet për ndërhyrje dhe manipulim në procesin zgjedhor.
Në një tjetër rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë kanë referuar materialet në Prokurori, pas një kallëzimi nga shtetasi J. Ç., 28 vjeç, i cili pretendon se është kanosur për të dhënë votën, përmes platformës “Messenger”, nga shtetasi S. P., 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë dhe nënkryetar i një subjekti politik në Lushnjë.
Të dy rastet janë referuar pranë SPAK për veprime të mëtejshme hetimore, në kuadër të luftës kundër korrupsionit zgjedhor dhe ndikimit të paligjshëm në procesin demokratik.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier:
-Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave.
Vihet në pranga autori.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.
Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë, pasi ka kallëzuar shtetasi J. Ç., 28 vjeç, se shtetasi 27-vjeçari, nënkryetar i një subjekti politik në Lushnjë, e ka kanosur në platformën “Messenger”, për dhënien e votës. Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesmarrjes në zgjedhje”.