Fier – Banorët e një pallati në lagjen “Apollonia” protestojnë për mungesën e çertifikatave të pronësisë, prej më shumë se 20 vitesh
Rreth 60 familje dhe mbi 20 biznese që jetojnë në një pallat 12-katësh në lagjen “Apollonia” të Fierit, prej më shumë se dy dekadash, nuk janë pajisur ende me çertifikata pronësie, ndonëse kanë hyrë në banesat e tyre që prej fillimit të viteve 2000.
Banorët janë mbledhur sot përpara zyrës së Kadastrës së Fierit, duke protestuar për këtë problematikë shumëvjeçare që, sipas tyre, nuk ka asnjë arsye ligjore për të mos u zgjidhur. Ata theksojnë se në objekt nuk ekziston asnjë plan mbivendosjeje apo pengesë ligjore, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për t’u pajisur me dokumentet përfundimtare të pronësisë.
Ndërtuesi i pallatit, Njazi Vrenozi, ka deklaruar se nga nëntë pallatet që ka ndërtuar në qytetin e Fierit, vetëm ky ka mbetur pa çertifikata pronësie për banorët. Sipas tij, vonesat kanë ardhur për shkak të një mospërputhjeje të metrave të deklaruara nga ish-pronarët, çështje që tashmë është sqaruar dhe zgjidhur. Ai shtoi se ndryshimet e shpeshta të drejtuesve të Kadastrës Fier kanë ndikuar në zvarritjen e procesit.
Nga ana tjetër, drejtori i Kadastrës së Fierit, Evarist Kazheli, ka pohuar se dosja do të trajtohet me prioritet, për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë shqetësimit të banorëve që prej vitesh presin të pajisen me dokumentacionin përfundimtar të pronësisë.
Banorët kanë paralajmëruar se, nëse situata vijon të mbetet e pandryshuar, do të përshkallëzojnë protestat deri në marrjen e pronës së tyre të ligjshme.




