Fier – Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit në sheshin qendror

Fier, 6 Qershor 2025 – Qindra besimtarë myslimanë në Fier u mblodhën sot në orët e para të mëngjesit për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të fesë islame. Ceremonia u zhvillua në sheshin qendror të qytetit, ku morën pjesë burra, gra dhe fëmijë, duke krijuar një atmosferë solemniteti dhe përkushtimi shpirtëror.
Namazi u fal në orën 06:40, dhe aktiviteti u hap me një fjalim nga myftiu i Fierit, z. Mikel Hazizolli. Në mesazhin e tij, ai uroi gjithë besimtarët për festën dhe theksoi vlerat që mbart Kurban Bajrami, si paqja, solidariteti dhe ndjesa.
“Kjo është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit,” – u shpreh myftiu Hazizolli, duke bërë thirrje për më shumë dashuri, mirëkuptim dhe respekt në marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Besimtarët përcollën urime mes tyre, duke shkëmbyer përqafime dhe duke shprehur solidaritet në këtë ditë të shenjtë. Ceremonia u zhvillua në mënyrë të qetë dhe të organizuar, nën praninë e forcave të rendit dhe strukturave të pushtetit vendor që garantuan mbarëvajtjen e saj.