Fier: Drejtoria e Policisë hap dyert për nxënësit, në kuadër të 112-vjetorit të Policisë së Shtetit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier priti sot nxënësit e gjimnazit “Perikli Ikonomi” në kuadër të aktiviteteve për 112-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit dhe javës “Dyer të hapura për qytetarët”.
Nxënësit, të shoqëruar nga mësuesit e tyre, u mirëpritën nga zëvendësdrejtori i Policisë për Rendin dhe Policimin në Komunitet, Drejtues Ndue Doçi, dhe Shefi i Rendit, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj. Ata zhvilluan bashkëbisedime mbi detyrat dhe funksionin e punonjësve të Policisë, duke treguar interes të madh për këtë institucion.
Gjatë vizitës, nxënësit u njohën me historikun e Policisë së Shtetit dhe rezultatet e arritura ndër vite. Stafi drejtues falënderoi vizitorët për interesin dhe vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis qytetarëve dhe Policisë.
Aktiviteti, që u zhvillua në një atmosferë miqësore, synon të forcojë lidhjet e Policisë me komunitetin. Vizita të tjera të ngjashme pritet të organizohen në vijim.