Fier/ Familjarët e Dëshmorëve të Policisë, në vëmendjen e Policisë së Shtetit

Në prag të festave të fundvitit, nën kujdesin dhe vëmendjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, punonjësit e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier zhvilluan një takim me familjarët e Dëshmorëve të Policisë, si shenjë respekti, mirënjohjeje dhe vlerësimi të përhershëm për sakrificën e tyre.

Gjatë takimit, zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues Gazment Shehu, theksoi se familjarët dhe fëmijët e Dëshmorëve të Policisë janë dhe do të mbeten gjithmonë pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit. Ai vuri në dukje se disa prej fëmijëve të Dëshmorëve kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e prindërve të tyre, duke shërbyer sot me përkushtim dhe dinjitet në radhët e uniformës blu.

Si pjesë e kësaj vëmendjeje dhe mbështetjeje, strukturat e DVP Fier kontribuuan në përgatitjen e disa pakove simbolike, të cilat iu shpërndanë familjarëve të Dëshmorëve, në shenjë solidariteti dhe respekti.

Policia e Shtetit riafirmon angazhimin e saj për të qenë gjithmonë pranë familjarëve të Dëshmorëve, duke i nderuar dhe vlerësuar për sakrificën e çmuar në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.











