Fier – Finalizohet operacioni “Medicine”, arrestohen 4 administratorë farmacie për kontrabandë ilaçesh

FIER – Pas një pune disamujore hetimore, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Medicine”, i cili kishte si objektiv goditjen e kontrabandës së mallrave farmaceutike.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë katër administratorë farmacish: shtetasit Sh. Y., 65 vjeç, P. B., 36 vjeçe dhe T. P., 35 vjeçe. Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen T. A., 53 vjeçe.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në farmacitë dhe banesat e tyre, u gjetën dhe sekuestruan ilaçe të kontrabanduara, pa pulla fiskale të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë rreth 800 000 lekë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Shtetit nënvizon vendosmërinë për të luftuar paligjshmërinë në çdo formë, duke qenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe shëndetit publik.