Fier/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”, arrestohen dy shtetas në Cakran
Policia e Fierit ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Game Over”, duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të basteve sportive. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit E. R., 27 vjeç dhe M. R., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Cakran.
Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas evidentimit të veprimtarisë së kundërligjshme. Të arrestuarit u kapën në ambientet e një lokali “Bar-bilardo” duke vendosur baste sportive nëpërmjet dy aparateve celulare, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Gjithashtu, hetimet zbuluan se shtetasi E. R. ushtronte aktivitetin e lokalit pa licencë dhe pa e regjistruar atë në organet tatimore.
Akuzat:
• “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
• “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
• “Fshehja e të ardhurave”.
• “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Policia bën të ditur se kontrollet ndaj aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë do të vijojnë intensivisht.