FIER – FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR “PATHWAY” / ARRESTOHET 57-VJEÇARI I ARMATOSUR, I DËNUAR MË PARË PËR VRASJE
Policia e Fierit ka vënë në pranga një 57-vjeçar me precedent penal për vrasje, i cili qarkullonte i armatosur me pistoletë. Operacioni i koduar “Pathway” u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve ndaj Personit dhe Komisariatin e Policisë Fier.
Gjatë ndërhyrjes në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin P. M., të cilit iu gjetën në çantën e dorës një pistoletë dhe 2 krëhëra me nga 7 fishekë secili.
57-vjeçari, banues në fshatin Sulaj dhe i dënuar më parë për vrasje, u arrestua dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Burime lokale bëjnë me dije se Petrit Mernica, 57 vjeç, i arrestuar dje në kuadër të operacionit policor të koduar “Pathway”, është babai i Azgan Mernicës, i cili rreth një vit e gjysmë më parë u përfshi në një ngjarje të rëndë në Fier, ku humbi jetën një efektiv policie i patrullës “Shqiponjat”. Çështja atëherë u trajtua nga autoritetet përkatëse sipas procedurave ligjore.
Petrit Mernica u kap në flagrancë nga strukturat e Policisë së Fierit, duke mbajtur me vete një armë zjarri pistoletë me dy krëhëra municioni. Ai u arrestua në fshatin Fermë Çlirim dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit




