KRONIKËSTAR CHANNEL

Fier – Goditet një grup kriminal për trafik armësh dhe kultivim kanabisi, 4 të arrestuar dhe sasi e konsiderueshme armësh e drogë e sekuestruar

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm bënë të ditur finalizimin e operacionit policor të koduar “Procedimi”, që çoi në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikim armësh, kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Reklama në FieriWeb - “BREGU CLIMA”

Operacioni është zhvilluar pas disa muajsh hetimesh me metoda speciale, të drejtuara nga Prokuroria e Fierit dhe të zbatuara nga strukturat e DVP Fier në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.

Reklama në FieriWeb - "COVIM CAFFE"

Gjatë aksionit u arrestuan 4 shtetas:

Reklama në FieriWeb - “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”
  • Boran Buzi, 48 vjeç, nga Kallmi i Fierit, i dënuar më parë në Itali me 30 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje;
  • Niko Osma, 53 vjeç, nga Durrësi, me precedent penal për armëmbajtje pa leje;
  • Qamil Shurdhi, 48 vjeç, nga Lushnja, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëve;
  • Besim Buzi, 33 vjeç, nga Divjaka.

Gjithashtu, një 51-vjeçar nga fshati Peshtan i Fierit u procedua në gjendje të lirë.

Reklama në FieriWeb - “STREET FOOD S.O.A”

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar:

Reklama në FieriWeb - "Oazi i Pishave"
  • 4000 fidanë kanabisi dhe 5000 fara të kësaj bime;
  • 3 armë automatike, 2 armë gjahu dhe një pistoletë;
  • 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
  • 2 radio komunikimi dhe 2 uniforma policie;
  • 3 automjete dhe 10 telefona celularë.

Nga hetimet ka rezultuar se ky grup vepronte në qytetet Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, duke trafikuar armë të ardhura ilegalisht nga Kosova përmes pikës kufitare të Morinës. Gjithashtu, ata ishin të përfshirë në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit.

Sipas drejtorit të DVP Fier, Skënder Hita, grupi ishte i organizuar dhe kishte struktura të qarta: B. B. dhe Q. Sh. ishin organizatorët, ndërsa të tjerët kishin role të caktuara në sigurimin dhe tregtimin e armëve dhe drogës.

Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të shkatërruar tërësisht këtë rrjet kriminal. Drejtori Hita falënderoi Prokurorinë e Fierit dhe të gjitha strukturat policore për bashkëpunimin dhe profesionalizmin, duke u bërë thirrje qytetarëve të vijojnë bashkëpunimin me Policinë për një sezon veror të sigurt dhe pa ngjarje kriminale.

KOMINIKATA PËR SHTYP:

Konferencë e përbashkët për shtyp, nga DVP Fier dhe Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Goditet një grup kriminal për trafikim armësh, kultivim dhe shitje të kanabisit. 4 shtetas në pranga, 6 armë zjarri e gjahu, 4000 fidanë kanabisi, 5000 fara kanabisi, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, radio dhe uniforma si të Policisë, të sekuestruara.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Drejtues i Parë Skender Hita:

Përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen,

Ashtu siç u bë me dije edhe nga drejtuesi i Prokurorisë, jemi sot, këtu, për të prezantuar rezultatet e operacionit policor të koduar “Procedimi”, por gjithashtu për të përcjellë mesazhin e një bashkëpunimi të suksesshëm mes Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Ky bashkëpunim është i vazhdueshëm dhe i mirëkoordinuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në qarkun Fier.

Operacioni policor i koduar “Procedimi” është finalizimi i një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit.

Procedimi u iniciua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier dhe u ndoq në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.

Siç është bërë publike edhe më parë përmes njoftimeve tona për shtyp, strukturat e DVP Fier kanë vijuar pa ndërprerje operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, specialistët e sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier siguruan informacion përmes inteligjencës policore dhe e referuan në Prokurorinë e Fierit, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1815/2024, që u ndoq për disa muaj, me metoda speciale të hetimit.

Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbanin armë zjarri, për qëllime kriminale. Ky aktivitet kryhej në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në PKK Morinë.

Po nga hetimet rezultoi se ky grup merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit.

Në vijim të hetimeve, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Procedimi”.

Gjatë operacionit u ushtruan 8 kontrolle banesash, 2 kontrolle në ambiente të dyshuara për magazinim të armëve dhe të municionit luftarak, si dhe 3 kontrolle automjetesh.

Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan:

4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokën në pronësi të shtetasit B. B. dhe 2000 të kultivuar në kubikë);

3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm;

5000 fara kanabisi;

2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke;

3 automjete dhe 10 celularë.

Gjithashtu, në banesën e shtetasit N. O., në Durrës, u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, të cilën ky shtetas tentoi ta hidhte nga dritarja, në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit:

B. B., 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

N. O., 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;

Q. Sh., 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;

B. B., 33 vjeç, banues në Divjakë.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë një 51-vjeçar nga fshati Peshtan, Fier, i arrestuar më parë për kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale.

B. B dhe Q. Sh. ishin organizatorët e grupit. Anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve.

Njëkohësisht, kryetari i grupit, B. B., organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit.

Operacioni vijon dhe hetimet po thellohen, për të identifikuar dhe kapur shtetasit e tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Dua të falënderoj Prokurorinë e Fierit, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional, strukturat e DVP Fier të angazhuara nga nisja deri në finalizimin e operacionit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë operacion.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe shitjes së narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, trafiqeve të paligjshme dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit.

Gjithashtu, shpreh falënderimin për qytetarët e qarkut Fier, për bashkëpunimin e deritanishëm, dhe i ftoj të vijojnë të besojnë dhe të bashkëpunojnë me strukturat tona, për të garantuar një sezon veror sa më të qetë dhe të sigurtë, për qytetarët vendas dhe për mijëra turistët që vizitojnë qarkun tonë çdo vit.

Vetëm përmes bashkëpunimit, përmbushim misionin tonë.

Faleminderit!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button