Fier – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit, arrestohet autori

Policia e Fierit ka finalizuar me sukses një tjetër goditje në kuadër të operacionit kombëtar antidrogë të koduar “Koordinata”. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga toka dhe ajri me përdorimin e dronëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar një parcelë me fidanë narkotikë në vendin e quajtur “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz.
Nga verifikimet rezultoi se në këtë parcelë ishin kultivuar 223 fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies. Në vijim të veprimeve hetimore, u bë e mundur arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit R. M., 24 vjeç, banues në Cakran.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve të shtrira në gjithë territorin e qarkut, në njësinë administrative Portëz, u gjetën dhe u asgjësuan 90 fidanë të tjerë cannabis sativa. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij rasti.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Policia e Fierit thekson se operacioni “Koordinata” do të vijojë pa ndërprerje, me kontrolle të imtësishme në të gjitha zonat me risk, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.