Fier – Goditet skema piramidale online, 6 persona arrestohen, 2 në kërkim

Një operacion i gjerë policor i koduar “XUEX”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Fierit, ka goditur një skemë mashtruese online me karakter piramidal, që funksiononte përmes platformave të investimeve virtuale dhe kriptomonedhave.
Konferenca e përbashkët për shtyp u mbajt nga Drejtoreshë Ervina Gjana, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, dhe Prokurorja Jonida Allushi, ku u bënë të ditura rezultatet e operacionit.
Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, përfshirë Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, dhe përfshiu gjithsej 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh.
Gjatë operacionit u arrestuan:
- Arbër Çela – 38 vjeç, Lushnjë
- Emanuel Taullau – 21 vjeç, Lushnjë
- Flavio Mukaj – 23 vjeç, Lushnjë
- Marius Kodra – 28 vjeç, Tiranë
- Brunilda Todi – 38 vjeçe, Divjakë
- Brunilda Ndini – 38 vjeçe, Divjakë
Ndërkohë, u shpallën në kërkim:
- E. Sh., 35 vjeç – Divjakë
- A. Sh., 29 vjeç – Divjakë
Hetimet zbuluan se këta individë vepronin si agjentë kyç të skemës piramidale, ku qytetarët udhëzoheshin të rekrutoheshin të paktën 5 persona të tjerë për të përfituar nga investimet e pretenduara. Investimet, kryesisht në kriptomonedha si USDT dhe TRON, nuk ishin reale, por një mekanizëm mashtrimi që favorizonte vetëm nivelet më të larta të piramidës.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
- 50 aparate celularë
- 11 njësi kompjuterike
- 1 DVR dhe 2 hardisk
- 1 automjet
- 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1,750 dollarë dhe 340 franga
- 6 llogari kriptomonedhash
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Fierit bëjnë apel ndaj qytetarëve për kujdes maksimal dhe për të mos u përfshirë në investime që premtojnë fitime të shpejta, si dhe për të denoncuar çdo aktivitet të dyshimtë në numrin 112, me garanci anonimiteti dhe reagim të menjëhershëm.




