Fier | Goditet tregtimi i ilaçeve të skaduara dhe kontrabandë, arrestohet 42-vjeçari
Operacioni policor i koduar “Skadenca” përfundoi me sukses pas një hetimi disamujor me metoda speciale, duke goditur tregtimin e ilaçeve të skaduara dhe atyre pa faturë tatimore në Fier.
Policia dhe Prokuroria raportojnë se Bojken Bregovina, 42 vjeç, magazinonte në banesë medikamente të ndryshme, përfshirë 1635 kuti të skaduara dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet të jenë kontrabandë. Këto medikamente më pas shiteshin në farmacitë e qytetit për përfitim personal.
Kontrolli i banesës, i lejuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, zbuloi gjithsej 4289 kuti me medikamente, pjesa më e madhe e të cilave ishin të skaduara ose pa dokumentacion të rregullt.
Në përfundim të veprimeve, Bojken Bregovina u arrestua në flagrancë, ndërsa materiali procedurial do t’i referohet Prokurorisë Fier për veprat penale: “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.




