Fier/ I premtoi 50 mijë lekë dhe i mori kartën e identitetit, arrestohet në flagrancë për krim zgjedhor dhe çështja kalon në SPAK

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 485, datë 13.04.2025, ndaj shtetasit Marin Leka, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, e parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Sipas të dhënave zyrtare, hetimet u iniciuan pas informacionit të referuar nga Komisariati i Policisë Lushnjë. Në bashkëpunim me policinë gjyqësore dhe nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, janë përdorur metoda proaktive për dokumentimin e ngjarjes.
Rezulton se shtetasi M.L. i ka kërkuar dhe marrë kartën e identitetit shtetasit M.T., kundrejt një premtimi për pagesë prej 50 mijë lekësh, me qëllim favorizimin e një subjekti politik në procesin zgjedhor.
Pas veprimeve të para hetimore, M.L. është arrestuar në flagrancë, ndërsa Prokuroria e Fierit ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal, kërkesë që është miratuar nga Gjykata.
Çështja tashmë i është kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që Prokuroria e Fierit shpreh angazhimin për hetimin e plotë të këtij rasti dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Njoftim i Prokurorisë Fier:
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË
TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER
Tentoi t’i marrë kartën e identitetit për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje, Prokuroria Fier procedon penalisht për ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’ shtetasin M.L.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.485, datë 13.04.2025, për veprën penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, mbi bazën e informacioneve të marrë nga Komisariati i Policisë Lushnjë.
Pas informacionit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Prokuroria Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të këtij komisariati, si dhe në koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv me Prokurorinë e Posaçme kundër Koorupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, duke përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, kanë arritur të dokumentojnë se, shtetasi M.L., i ka kërkuar dhe marrë shtetasit M.T., kartën e identitetit kundrejt premtimit të një shume prej 50’000 (pesëdhjetëmijë) lek, me qëllim për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit M.L., e cila është miratur nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Pas kryerjes së veprimeve të ngutshme procedurale, Prokuroria Fier ka vendosur që çështja ti kalohet për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike.