FIER, KANOSI PËR DY VJET NJË 73-VJEÇAR PËR T’I MARRË PARA, ARRESTOHET 41-VJEÇARI
Një 41-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se për rreth dy vjet ka kanosur vazhdimisht një 73-vjeçar, me qëllim që t’i merrte një shumë parash. Sipas hetimeve, i arrestuari pretendonte se paratë ia kishte borxh djali i të moshuarit.
Në kuadër të hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas kallëzimit të bërë nga 73-vjeçari, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit me inicialet Ilir Sherifaj, 41 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 41-vjeçari e kishte kanosur të moshuarin në mënyrë të përsëritur që prej vitit 2024, duke i kërkuar një shumë parash që pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Policia bën me dije se i arrestuari rezulton me precedent penal për krime kundër personit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.




