Fier – Mbledhje për zhvillimin e zonave malore, nis zbatimi i “Paketa e Maleve”

Në kuadër të nismës për zhvillimin e zonave malore, në Bashkinë Fier është zhvilluar një mbledhje e posaçme e komisionit të ngritur për këtë qëllim. Qëllimi kryesor i këtij komisioni është nxitja e investimeve dhe krijimi i mundësive të reja për qytetarët dhe emigrantët, për të kontribuar në zhvillimin e zonave malore, kodrinore dhe ekonomive pyjore të territorit të bashkisë.

Në këtë kontekst, është prezantuar edhe “Paketa e Maleve”, një projekt strategjik që synon rigjallërimin e ekonomisë lokale, ruajtjen e peizazhit natyror dhe shndërrimin e zonave malore në pika të forta për zhvillimin e turizmit, agroturizmit dhe bujqësisë së qëndrueshme.

📌 “Paketa e Maleve” u ofron përdoruesve aktualë të tokës shtetërore në mal të drejtën e përfitimit të pronësisë mbi këtë tokë me një çmim simbolik prej 1 euro, me kusht që:

- ta kenë përdorur tokën për më shumë se 10 vjet; dhe
- të paraqesin një plan biznesi të zbatueshëm brenda dy viteve.
Kjo iniciativë vjen si pjesë e përpjekjeve të bashkisë për të rikthyer vëmendjen te potenciali i zonave të thella, duke i kthyer ato në motorë zhvillimi ekonomik dhe social për komunitetin vendor dhe për emigrantët që synojnë të investojnë në vendlindje.




