Fier/ Me qirinj në duar, qindra besimtarë ortodoksë marrin pjesë në meshën e shenjtë të Pashkëve në kishën e Shën Gjergjit

Qindra besimtarë ortodoksë iu bashkuan meshës së shenjtë të Pashkëve në kishën e Shën Gjergjit në Fier.
Mesnata që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit kulmoi në sheshin jashtë oborrit të kishës, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.
Pas meshës ata kryen edhe ceremoninë e thyerjes së vezëve të kuqe me urimin “Krishti u ngjall”.
Në mesazhin e tij mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tij, Imzot Nikolla Hyka, i cili drejtoi edhe meshën e madhe, theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket të mirës dhe jo të keqes, teksa vuri theksin edhe te rëndësia e dashurisë, paqes dhe unitetit në këtë periudhë të shenjtë.
“Gjatë Pashkëve ne këndojmë, vrapni dhe i shpallni botës se si u ngjall Zoti duke shkatërruar vdekjen.
Ai është biri i Pernëdisë. Ndoshta sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse ngjallja nuk është thjesht një ngjallje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, brez dhe çdo shpresë.
Dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe s’duhet të mbytemi në detin e hidhëtrimit.
Pavarësisht se sa të vështiira mund të jenë problemet tona, Ngjallja e Krishtit na premton një të ardhme krejtësisht të ndryshme.
Ngjallja e Krishtit nuk është një kremtim që ka të bëjë me ne, se na bëri pjesëtarë të ngjalljes së tij nëpërmjet plotësisë së natyrës së tij njerëzore.
Ngjallja e tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke e bërë tregues të plotësimit përfundimtar të natyrës tonë njerëzore.
Për Pashkë jemi thirrur të përqafojmë njër-tjetrin, të falim njëri-tjetrin, të mund të thërrasim me zemër të pastër Krishti u ngjall.”