Fier/ Mësuesja e sportit Vjollca Dingo sfidon moshën: “Sporti është jetë”

Ky 8 Mars e ka gjetur mësuesen e edukimit fizik Vjollca Dingo plot energji, ashtu siç e kanë njohur gjithmonë nxënësit dhe kolegët e saj në Fier. Edhe pse sapo ka dalë në pension, 62-vjeçarja vijon të sfidojë moshën me freskinë dhe vitalitetin e saj, duke dhënë përshtypjen se ka bërë një aleancë me rininë e përjetshme.
Sporti ka qenë bashkëudhëtari i saj i pandashëm që nga fëmijëria, kohë kur ajo spikati në aktivitete të ndryshme fizike. Mes emocionesh, Dingo rrëfen fillimet e një rrugëtimi që e ka dashur gjithmonë dhe që nuk e ka braktisur për dekada.
“Unë i përkas brezit të viteve ’70-’80,” tregon ajo, duke kujtuar se në atë periudhë sporti në qytetin e Fierit jetonte kohët e arta, me aktivitete të shumta, talente që spikasnin dhe stadiume të mbushura me tifozë të zjarrtë, gjë që rrite përgjegjësinë për performanca dinjitoze. Sipas saj, edhe pse Fieri ishte një qytet në zhvillim, nuk munguan femrat sportiste kurajoze që thyen tabutë e kohës.
Sporti i solli në jetë edhe një tjetër moment të rëndësishëm: pikërisht gjatë aktiviteteve sportive ajo njohu bashkëshortin e saj, me të cilin krijoi një familje të bukur dhe sollën në jetë dy fëmijë. Edhe gjatë kësaj periudhe, ajo nuk u nda nga sporti. Madje, deri në gjashtë muajt e parë të shtatzënisë, vijoi të ishte çdo ditë aktive në stërvitje dhe në punën e saj.
Me keqardhje, 62-vjeçarja kujton edhe periudhën e vështirë që përjetoi sporti pas viteve ’90. “Gjithçka u venit,” thotë ajo, duke shtuar se vetëm pas viteve 2000 nisi një ringritje graduale, fillimisht përmes klubeve private dhe më pas me angazhimin e bashkive.
Dashurinë për sportin ajo ua ka trashëguar edhe fëmijëve të saj. Në këtë 8 Mars, mësuese Vjollca ka edhe një apel për vajzat dhe gratë: të gjejnë kohë për aktivitet fizik në përditshmërinë e tyre.
“Më vjen keq që shumë prej tyre fillojnë të lëvizin vetëm kur mjeku ua rekomandon për shkak të sëmundjeve,” shprehet ajo. Sipas saj, disa gra kërkojnë rininë tek ndërhyrjet estetike, por kjo është një rini jo natyrale. “Jo vetëm fytyra, por i gjithë trupi dhe organizmi ka nevojë të rigjenerohet, fizikisht, shpirtërisht dhe psikologjikisht. Kjo arrihet vetëm përmes stërvitjes sistematike,” thekson Dingo.
“Sporti është jetë, energji dhe vetëbesim,” përfundon mësuesja energjike, duke theksuar se asnjëherë nuk është vonë për t’u marrë me aktivitet fizik. Sipas saj, edhe pse kërkon disiplinë, sporti është investimi më i mirë që mund t’i bëhet shëndetit gjatë gjithë jetës.
Marsela Topi – fieriweb.com




