Fier – Nis procesi i primareve në PD për zgjedhjet e 11 majit

Fier, 1 Mars 2025 – Partia Demokratike ka nisur sot procesin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në degën e Fierit, votimi po zhvillohet në selinë e partisë, ku 22 kandidatë garojnë sipas parimit “Një anëtar, një votë”.
Rreth 1000 anëtarë të PD-së pritet të votojnë, duke zgjedhur vetëm një prej kandidatëve në garë. Procesi i votimit është hapur edhe në Patos, Roskovec dhe Mallakastër.
I pranishëm në Fier, drejtuesi politik i qarkut, Gazmend Bardhi, ka mbikëqyrur procesin dhe ka theksuar se të drejtën e votës e kanë vetëm ata anëtarë të pajisur me karta anëtarësie para vitit 2021.
Primaret po zhvillohen në nivel qarku, sipas një vendimi të Kryesisë së PD-së të datës 11 shkurt 2025. Ky proces synon të përzgjedhë kandidatët me mbështetje më të gjerë në bazën e partisë, duke u bazuar në specifikat e secilit qark.