Fier/ Nis viti i ri shkollor, 25.951 nxënës ulen sot në bankat e shkollës në qarkun e Fierit

Nis viti i ri shkollor 2026–2027, rreth 48 mijë nxënës rikthehen në bankat e shkollës në rajonin e DRAP Fier
Viti i ri shkollor 2026–2027 nis këtë të hënë, më 14 shtator, për mijëra nxënës në rajonin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier.
Në total, në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, të cilat janë pjesë e juridiksionit të DRAP Fier, këtë vit shkollor do të ndjekin mësimin 47.777 nxënës në 305 institucione arsimore.
Procesi mësimor do të zhvillohet në 212 shkolla 9-vjeçare, 55 shkolla të bashkuara, që përfshijnë arsimin nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë, si dhe në 38 shkolla të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë gjimnazet dhe shkollat me orientim artistik.
Nga numri total i nxënësve, 36.190 ndjekin arsimin bazë, ndërsa 11.587 nxënës janë regjistruar në gjimnaze dhe shkolla të mesme artistike.
Qarku i Fierit mbetet zona me numrin më të madh të nxënësve në rajon. Në këtë qark janë regjistruar gjithsej 25.951 nxënës, ose rreth 54% e totalit të rajonit të DRAP Fier.
Në Fier do të funksionojnë 129 shkolla 9-vjeçare, 26 shkolla të bashkuara dhe 16 shkolla publike të arsimit të mesëm të lartë, ndërsa në total janë regjistruar 1.811 nxënës në klasat e para dhe 2.393 nxënës në klasat e dhjeta.
Regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta u kryen përmes portalit e-Albania gjatë muajve korrik dhe gusht, me procesin që vijoi deri më 7 shtator.
Një nga risitë e këtij viti shkollor është programi “Pas Shkolle”, i cili vjen si një rikonceptim i programeve të mëparshme “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe “Art, Zeje, Sport”.
Në rajonin e DRAP Fier, 90 shkolla publike, prej të cilave 47 në qarkun e Fierit, kanë hapur aplikimet për 139 klasa pas përfundimit të orarit mësimor. Nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë, por edhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme.
Programi parashikon gjithashtu 364 klube pas shkollës, ku nxënësit mund të angazhohen në muzikë, kërcim, art pamor, teatër dhe zeje.
Një tjetër program që do të zgjerohet është “Element IT”, së bashku me laboratorët SmartLab. Për herë të parë programi do të përfshijë edhe klasat e gjashta, duke angazhuar mbi 2.900 nxënës të klasave të para dhe 10.935 nxënës nga klasa e dytë deri në të gjashtën, në 298 shkolla publike të rajonit.
Sa i përket teksteve shkollore, për nxënësit e arsimit bazë publik do të ofrohen falas tekstet e reja për klasat I, VI, VIII dhe IX, ndërsa është realizuar edhe zëvendësimi i teksteve të dëmtuara nga viti i kaluar.
Tekste falas do të përfitojnë edhe kategori të veçanta nxënësish në arsimin e mesëm të lartë publik, përfshirë nxënësit nga familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe nga komunitetet e margjinalizuara.
Ndërkohë, gjashtë institucione arsimore në rajonin e DRAP Fier, tre prej tyre në qarkun e Fierit, do të nisin vitin e ri shkollor pas përfundimit të rikonstruksionit.
Strukturat arsimore dhe njësitë vendore përgjegjëse kanë bërë të ditur se janë marrë masat për garantimin e nisjes normale të procesit mësimor dhe krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe mësuesit.




