Fier/ Operacioni “Koordinata” – Zbulohet dhe asgjësohet një parcelë me 1000 fidanë kanabisi në Libofshë, arrestohet autori

Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Koordinata”, që synon parandalimin dhe ndëshkimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të kontrolleve intensive të zhvilluara në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura edhe nga përdorimi i dronëve dhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier zbuluan një parcelë me rreth 1000 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në vendin e quajtur “Gropa e Mollës”, në fshatin Libofshë.
Fidanët u asgjësuan në vendngjarje përmes djegies.
Pas hetimeve të shpejta, Policia identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar të kësaj veprimtarie të paligjshme. Në pranga ra shtetasi Aristir Marini, 63 vjeç, banues në fshatin Libofshë.
Aktualisht, strukturat hetimore po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Fierit përsërit apelin për qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.