Fier – Pacientët me kancer lihen pa kimioterapi, mungon medikamenti Gemcitabine në Spitalin Rajonal

Aktori – Astrit Hasani
Prej afro dy muajsh, pacientët që zhvillojnë kimioterapi në Spitalin Rajonal Fier me medikamentin Gemcitabine 1 gr nuk po e marrin dot trajtimin e tyre. Shkaku është mungesa e këtij medikamenti në farmacinë e spitalit, fakt i konfirmuar si nga familjarët e pacientëve, ashtu edhe nga drejtoria e institucionit shëndetësor.
Mes të prekurve është edhe vëllai i aktorit të njohur shqiptar Astrit Hasani, 76-vjeçari Enver Hasani, i cili prej dy vitesh vuan nga kanceri në pankreas. Fillimisht trajtimi i tij është bërë në Tiranë, por më pas familja u drejtua në Fier, meqenëse edhe aty ofrohej i njëjti shërbim.
“Prej dy muajsh vëllai nuk po e merr dot mjekimin dhe gjendja e tij është përkeqësuar. Takova mjeken dhe më tha se nuk ka medikamente, kanë mbaruar. Të njëjtën gjë më pohoi edhe drejtori i spitalit, Arben Voja, i cili shtoi se ka qenë një planifikim i gabuar dhe po pritet furnizimi i ri,” – u shpreh Astrit Hasani për mediat.
Ai shprehet i shqetësuar se spitalet e tjera, si ai i Tiranës apo i Vlorës, sipas informacionit të marrë nga të afërm të tjerë pacientësh, e kanë këtë medikament në dispozicion. “Më lind dyshimi mos duan pagesë. Vëllai është në pension, nuk ka të ardhura, ndërkohë që medikamenti rimbursohet nga shteti. Privatisht e kemi gjetur një ose dy herë, por ai ka nevojë ta marrë katër herë në muaj,” – shton Hasani.
Burime nga reparti i Onkologjisë në Fier pohuan se mungesa e Gemcitabine ka ardhur për shkak të dyfishimit të numrit të pacientëve onkologjikë, çka nuk është marrë në konsideratë në momentin e planifikimit për furnizimin me këtë medikament jetik.
Situata ka sjellë pakënaqësi të madhe mes pacientëve dhe familjarëve, të cilët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, pasi ndërprerja e trajtimit rrezikon seriozisht jetën e tyre.




