Fier – Plagos babanë me armë të modifikuar pas një konflikti në Mbrostar-Ura, arrestohet 23-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth mesnatës në fshatin Mbrostar Ura, Fier, ku një 23-vjeçar ka plagosur me armë zjarri babanë e tij pas një konflikti familjar.
Sipas Policisë së Fierit, sapo janë njoftuar për ngjarjen, shërbimet policore kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit Jashar Zyka, 23 vjeç.
I riu akuzohet se ka plagosur në këmbë babanë e tij, shtetasin Nexhmedin Zyka, 58 vjeç, me një armë të modifikuar në formën e një arme sportive. Fatmirësisht, 58-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka sekuestruar armën e përdorur në krim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.




