Fier | Policia arreston 25-vjeçarin që vodhi me forcë një farmaci në lagjen “Liri”
Reagimi i shpejtë i Policisë së Fierit ka bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të një vjedhjeje me forcë në një farmaci në lagjen “Liri”.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas kallëzimit të bërë nga punonjësja e farmacisë, u vu në pranga shtetasi:
Imanuel Gjino, 25 vjeç, banues në Fier.
Sipas Policisë, 25-vjeçari dyshohet se ka vjedhur me forcë shumën prej 126 000 lekësh në farmacinë e përmendur. Gjatë kontrollit, u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura, si edhe veshjet që autori kishte veshur gjatë kryerjes së vjedhjes, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Vjedhja”.




