Fier – Policia arreston dy persona, shpallet në kërkim një tjetër për krime kibernetike

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka kryer disa operacione gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe shpallur në kërkim një tjetër për vepra penale të ndryshme.
• Në Fier, u arrestua shtetasi A. Th., 20 vjeç, pasi u konstatua në një lokal, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e vendosur për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
• Po ashtu, u arrestua shtetasi A. M., 58 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike shpallën në kërkim shtetasin I. Ç., 56 vjeç, nga Lushnja, pasi dyshohet se ka hapur një profil të rremë në rrjetet sociale në emër të një 26-vjeçareje, duke komunikuar me persona të ndryshëm dhe duke u kërkuar foto intime.
Gjithashtu, në Lushnjë, nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 47 vjeç, i cili dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasin K. B., 45 vjeç.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.