Fier – Policia nis procedime penale dhe bllokime automjetesh në lagjen “Konferenca e Pezës”
Në vijim të denoncimeve të banorëve të kompleksit “Mërtiri Tragjas”, në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, Policia ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj drejtuesve të automjeteve që bllokojnë parkimet dhe kalimet për rezidentët.
Pas verifikimeve në terren, strukturat e Policisë Rrugore dhe ato të rendit kanë konstatuar një sërë shkeljesh të përsëritura nga drejtues mjetesh që parkojnë në mënyrë të paligjshme, duke penguar lëvizjen e mjeteve të tjera dhe madje edhe hyrjen e automjeteve të emergjencës.
Në disa raste, janë regjistruar edhe konflikte dhe debate mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, çka ka detyruar Policinë të ndërhyjë dhe të nisë procedime penale për pengim të qarkullimit publik dhe prishje të rendit.
Gjithashtu, janë bllokuar disa automjete që kishin krijuar pengesa të përsëritura në hapësirat e parkimit të kompleksit, ndërsa kontrollet po vijojnë çdo ditë në zonë.
Policia e Fierit thekson se do të vijojë me masa ndëshkuese dhe administrative ndaj çdo drejtuesi që shkel rregullat e qarkullimit dhe krijon problematika për banorët e zonës.




