Fier – Policia zhvillon kontrolle në lagje dhe blloqe pallatesh kundër trafikut dhe konsumit të drogës
Policia e Fierit, në bashkëpunim me agjentët e antidrogës, ka zhvilluar kontrolle të befta në lagje dhe blloqe pallatesh, me synim goditjen e grupeve që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe evidentimin e përdoruesve.
Këto aksione vijnë si përgjigje ndaj denoncimeve të banorëve, të cilët kanë raportuar raste të përsëritura të konsumit të drogës në hapësira të izoluara pranë banesave.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, për të parandaluar shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe për të rritur nivelin e sigurisë publike.
Vetëm gjatë këtij muaji, Seksioni i Narkotikëve në DVP Fier ka goditur 17 raste të shpërndarjes së drogës, duke arrestuar në flagrancë 10 persona dhe duke proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë.




