Fier – Procedim penal ndaj një mjeku të Spitalit Rajonal, i kapur në flagrancë duke marrë para nga një pacient

Pas transmetimit të një rasti nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku një mjek i Spitalit Rajonal Fier u filmua duke marrë para në këmbim të një operacioni të kryer, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar menjëherë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, duke çelur procedim penal ndaj shtetasit Musa Skënderaj, 64 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe vendosjen e përgjegjësisë ligjore.
Emisioni “Fiks Fare” sjell një rast mitmarrje nga ana e bluzave të bardha në qytetin e Fierit.
Mjeku Musa Skënderaj akuzohet nga dy prindër se u ka marrë 40 mijë lekë për operimin e djalit të tyre, ndërkohë që sot i mituri rrezikon të humbasë një testikul dhe duhet të rifutet sërish në operacion. “Përveç faktit që do operohet prapë, duhet të paguajmë prapë ” shprehet nëna për Fiks Fare.
Mamaja e djalit tha se mjeku Skënderaj pas përfundimit të ndërhyrjes kirurgjikale u ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet 40 mijë lekë. E gjitha ka ndodhur para dy muajve në Spitalin Rajonal të Fierit ku djali i tyre iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale e cila nuk doli e suksesshme. Aktualisht djali duhet të rioperohet për përdredhje testikulare dhe nëna pohon se duhen sërish lekë për të paguar mjekun.
Familja nuk u ndal vetëm me ankesën verbale. Babai i djalit e takoi vetë mjekun dhe e regjistroi me kamera të fshehtë. Gjatë bisedës, mjeku mohoi se kishte kërkuar para para operacionit, por nuk përjashtoi marrjen pas tij – një detaj që lë të kuptohet se pagesa është bërë, pavarësisht mënyrës dhe kohës.
Gjatë takimit, babai i dha mjekut edhe shumën prej 20 mijë lekësh për operacionin e dytë, të cilat u pranuan nga mjeku pa asnjë hezitim. Madje mjeku pasi futi lekët në xhep sqaroi të atin e pacientit se bëri maksimumin në sallën e operacionit , por nuk e shpëtoi dot testikulin.