Fier / Prokuroria dërgon për gjykim shtetasin italian që shkaktoi aksidentin tragjik ku humbi jetën një i mitur

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin italian M.G., i akuzuar për dy vepra penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” (neni 290/4 i Kodit Penal) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” (neni 273 i Kodit Penal).
Sipas hetimeve të kryera mbi procedimin penal nr.1207, datë 10.08.2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, rezulton se ngjarja ka ndodhur më 08.08.2025, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Fier–Levan.
Automjeti me targa të huaja, i drejtuar nga i pandehuri M.G., është përfshirë në një përplasje me automjetin tip “Mercedes Benz” që drejtohej nga shtetasi E.Sh.. Menjëherë pas aksidentit, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur përgjegjësisë administrative dhe penale.
Pasojat e aksidentit kanë qenë tragjike:
- Humbi jetën i mituri E.Sh.
- U plagos rëndë shtetasi F.T.
- U plagosën lehtë i mituri K.D. dhe drejtuesi i “Mercedes Benz”
Hetimet kanë provuar se shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e të pandehurit kanë qenë determinante në shkaktimin e fatkeqësisë.
Prokuroria Fier deklaron se mbetet e angazhuar për të çuar përpara drejtësisë çdo person që, përmes shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, cenon jetën dhe shëndetin e qytetarëve.




