Fier – Prokuroria zbardh trafikimin e grave nga Uganda, arrestohet ‘tutori’ dhe bashkëpunëtorët

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë, ka vënë në pranga pesë persona, mes tyre ‘tutori’ O.P., bashkëpunëtorja e tij K.H., si dhe dy shtetase nga Uganda të trafikuara për shfrytëzim prostitucioni.
Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria ka dokumentuar veprimtarinë kriminale të organizuar nga O.P., i cili rekrutonte vajza nga Uganda si kërcimtare “strip dance” dhe më pas i detyronte të ushtronin prostitucion në zonën “prive” të lokalit. Për të shmangur hetimet, ai kishte përdorur shtetasen O.G. si administratore fiktive të aktivitetit.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 611,000 lekë, shuma parash në monedha të tjera, si dhe dy doreza metalike përforcuese.
Pesë të arrestuarit akuzohen për gjashtë vepra penale, përfshirë trafikim personash të rritur, shfrytëzim dhe mbajtje lokalesh për prostitucion, pengim të drejtësisë, armëmbajtje pa leje dhe moslëshim të kuponit tatimor.
Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për O.P. dhe K.H., ndërsa për O.G. dhe dy vajzat nga Uganda u vendos “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”. Për shtetaset e huaja u vendos gjithashtu ndalim i daljes jashtë shtetit.




