Fier, sërish “remont elektrik në Kafaraj” – qytetarët pa ujë prej mëngjesit, njoftimi i UKF vjen vetëm në orën 14:00

Qytetarët e Fierit janë përballur sërish sot me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, që ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa njoftimi zyrtar nga Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Fier sh.a ka mbërritur vetëm pasdite, rreth orës 14:00.
Në komunikatën e publikuar, UKF bën me dije se shkaku i kufizimit të furnizimit është një “remont elektrik në nënstacionin e OSHEE Kafaraj”, duke theksuar se ndërprerja do të zgjasë deri në orën 17:00.
Situata ka shkaktuar irritim tek qytetarët, të cilët shprehen të lodhur nga përsëritja e së njëjtës arsye, që tashmë është kthyer në një shprehje të njohur: “remont elektrik në Kafaraj”.
Ndërkohë, uji është me presion të ulët ose mungon në disa lagje të Fierit që prej mëngjesit, ndërsa qytetarët kërkojnë më shumë transparencë dhe njoftime paraprake nga institucionet përgjegjëse.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa i fton ata të marrin masat e nevojshme deri në normalizimin e furnizimit.
Qytetarët shpresojnë që, pas “remontit të radhës” në Kafaraj, të mos përsëritet e njëjta histori ditën tjetër.




