FIER – SHEFI I QARKULLIMIT: 14 DREJTUES NË GJENDJE TË DEHUR NË MAJ, 12 ARRESTIME NË FLAGRANCË

Drejtuesit e automjeteve nën efektin e alkoolit vijojnë të mbeten një nga problematikat më shqetësuese për Policinë Rrugore në qarkun e Fierit gjatë muajit maj.
Sipas shefit të qarkullimit rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Rustem Plaka, gjatë muajit të kaluar janë konstatuar 14 drejtues mjetesh të moshës 18–35 vjeç që drejtonin automjetin në gjendje të dehur, prej të cilëve 12 janë arrestuar në flagrancë.
Në kuadër të masave administrative, vetëm gjatë muajit maj janë vendosur 69 masa ndaj drejtuesve të mjeteve që janë konstatuar nën ndikimin e alkoolit.
Departamenti i Sigurisë Publike ka hartuar gjithashtu një plan operacional tre-ditor për goditjen dhe parandalimin e drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur, i cili ka sjellë rezultate pozitive në terren.
Ndërkohë, Policia Rrugore thekson se problem mbeten rrugët rurale, ku shpesh nuk respektohen rregullat e qarkullimit. Vetëm gjatë muajit maj janë vendosur rreth 11 mijë masa administrative, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.




