Fier – Show politik në mes të përmbytjeve: Vengu vjen për disa minuta, s’u përgjigjet gazetarëve dhe largohet; emergjencat zhduken pas tij
Të shtunën, zona e Mbrostar-Ura në Fier u vu nën alarm për daljen nga shtrati të lumit Seman. Forcat e Emergjencave Civile dhe ushtria u shfaqën në terren, por pa ndërmarrë asnjë veprim real, asnjë matje të situatës dhe asnjë masë konkrete për banorët që prisnin ndihmë.
Në kulmin e shqetësimit, mbërrin ministri Vengu. Takon disa minuta stafin, bën disa pamje për rrjete sociale dhe refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, duke vendosur përpara zëdhënësin e tij si mburojë për të shmangur çdo përgjegjësi publike.
E papranueshmja ndodhi pas largimit të tij: edhe Emergjencat Civile dhe trupat e ushtrisë u larguan menjëherë, sikur misioni i tyre të kishte qenë vetëm prania për kamerat dhe jo për të mbrojtur qytetarët.
Ndërkohë, lumi Seman kishte shkaktuar përmbytje që askush nga institucionet nuk u kujdes t’i shihte nga afër. Banorët e zonës janë të revoltuar, duke e quajtur këtë sjellje “vizitë fasadë” dhe “lojë politike mbi kurrizin e qytetarëve”.
Në një moment kur vendi ka nevojë për veprim, autoritetet zgjedhin propagandën. Dhe ajo që ndodhi në Mbrostar është shembulli më i qartë.




