Fier – Trajnohen organizatat e shoqërisë civile për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve

Në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve”, në Fier u zhvillua një trajnim me pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të strukturave vendore. Në fokus të trajnimit ishin problematika të përditshme që prekin qytetarët, si mungesa e etiketave në produkte ushqimore, pretendimet e rreme për cilësinë e shërbimeve dhe abuzimet me standardet e sigurisë.
Granit Sokoli nga Qendra “ALERT” theksoi se projekti, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, synon fuqizimin e aktorëve lokalë për të kanalizuar dhe trajtuar ankesat e konsumatorëve në mënyrë efektive, si në nivel vendor ashtu edhe qendror.
Edlira Teliti, pedagoge e së drejtës dhe përfaqësuese e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, tha se njohja me legjislacionin dhe praktikat e BE-së është thelbësore për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.
Projekti do të shtrihet në pesë qytete të tjera të vendit dhe përfshin krijimin e një rrjeti funksional për inspektimin dhe trajtimin e ankesave, ku përfshihen organizatat e shoqërisë civile përkrah institucioneve shtetërore.
