Fier: Ujësjellësi ndërhyn për problemin e furnizimit me ujë të ndotur në fshatin Martinë
Rreth 200 familje të fshatit Martinë, në njësinë administrative Levan, po përballen prej dy muajsh me një situatë të rëndë furnizimi me ujë të ndotur. Ujësjellësi ka nisur ndërhyrjet për riparimin e dëmtimeve në tubacion, por banorët shprehen të pakënaqur, pasi situata vazhdon të jetë problematike.
Sipas banorëve, dëmtimet e tubacioneve janë shkaktuar nga kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, të angazhuara në pastrimin e kanaleve vaditës. Uji jo vetëm që vjen me orar të kufizuar, por është i ndotur dhe me përmbajtje llumi, duke shkaktuar dëme në pajisjet elektroshtëpiake dhe detyruar familjet të blejnë ujë në autobote, gjë që ka rënduar ndjeshëm buxhetet familjare.
Pompisti: Zgjidhje përfundimtare, magjistrali i ri
Astrit Bahaj, përfaqësues i ujësjellësit të zonës, ka konfirmuar se janë kryer tre riparime të tubacioneve, por situata nuk është përmirësuar. Ai thekson se rrjeti ujësjellës i ndërtuar 30 vite më parë nga një firmë hollandeze është i amortizuar dhe si zgjidhje përfundimtare kërkohet ndërtimi i një magjistrali të ri kryesor.
Ndërkohë, banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të përshpejtojnë procesin e investimeve, duke e cilësuar situatën një emergjencë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.