Fier – Ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe ngacmonte sek*ualisht të miturën, Prokuroria dërgon në gjyq 39-vjeçarin

Fier – Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Altin Rabija, i cili akuzohet për dhunë në familje dhe ngacmim seksual ndaj një të miture.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa dyshohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën 11-vjeçare të saj. Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga gruaja e tij, çka çoi në arrestimin e të dyshuarit në nëntor 2024 në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Fierit e ka dërguar çështjen në gjykatë, ku i pandehuri do të përballet me drejtësinë për veprat penale të “dhunës në familje” dhe “ngacmimit seksual ndaj të miturve”.
Njoftimi Prokurorisë Fier:
USHTRONTE DHUNË NDAJ BASHKËSHORTES DHE KEQTRAJTONTE E NGACMONTE SEK*UALISHT TË MITURËN, PROKURORIA FIER DËRGON NË GJYQ SHTETASIN A.R
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.R. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 të Kodit Penal.
Hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1755 të vitit 2024, nisën pas shqyrtimit të kërkesës së shtetases B.R. ndaj bashkëshortit të saj në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me objekt lëshimin e urdhërit të mbrojtjes. Në përfundim, gjyqtari i çështjes ka vlerësuar se faktet e referuara nga kjo shtetase përmbajnë elementë të veprës penale dhe për këtë shkak ka bërë referimin përkatës në prokurori.
Pas administrimit të referimit përkatës, organi i akuzës në bashkëpunim me policinë gjyqësore, ka arritur të provojë se në periudha të ndryshme, shtetasi A.R. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij si dhe ka kryer veprime aktive ndaj të miturës R.Ç. (fëmijës që shtetasja A.R kishte nga martesa e parë), që konsistojnë në keqtrajtimin vijues të saj dhe kanë avancuar në veprime që kanë natyrë të ngacmimit seksual të saj.
Pas kryerjes së veprime hetimore të plota, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim kërkesën penale ndaj shtetasit A.R. për veprën penale “Dhuna në familje” në dëm të shtetases B.R. “Ngacmimi seksual” dhe “Keqtrajtimi i të miturit” në dëm të miturës R.Ç, parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve më të rënda në të ardhmen dhe që cënojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve.