Fier | Vaksinimi HPV jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë! Mjekja apel prindërve: Mos hezitoni

Rreth 90% e vajzave 13-vjeçare në Fier i janë përgjigjur pozitivisht vaksinimit kundër HPV gjatë katër viteve të fundit. Vaksina, e cila u aplikua për herë të parë në vitin 2022, është mirëpritur që në fillim nga prindërit, ndërsa interesimi ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Mjekja Blerta Muskaj pohon se vetëm në Qendrën Shëndetësore nr. 1, përgjatë kësaj periudhe, janë regjistruar 305 raste vaksinimi kundër HPV, çka tregon një ndërgjegjësim të lartë nga ana e prindërve. Megjithatë, sipas saj, nuk kanë munguar as rastet e refuzimit.
Muskaj thekson gjithashtu se vaksina HPV tashmë është përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit edhe për djemtë. Pavarësisht kësaj, në Fier shumë prindër, të ndërgjegjshëm për përfitimet e vaksinës, ua kanë aplikuar më herët fëmijëve të tyre, duke e blerë privatisht.
Sipas mjekes, efektet anësore të vaksinës HPV janë të ngjashme me ato të vaksinave të tjera dhe kalojnë lehtë, pa komplikacione. Ajo u bën thirrje prindërve skeptikë të mos hezitojnë ta aplikojnë vaksinën tek fëmijët e tyre, pasi ajo parandalon disa lloje kanceri. Muskaj thekson gjithashtu se 13-vjeçarët kanë qenë të informuar për efektet e vaksinës, falë një pune të mirë paraprake edukuese.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik në Fier, nga bashkitë Fier, Roskovec dhe Patos, interesi më i lartë për vaksinën HPV është shënuar në Patos, i ndjekur nga Roskoveci dhe më pas Fieri.




