Fier / Veprime të Policisë: Arrestim për drejtim mjeti në gjendje të dehur, procedime penale për shkelje të ndryshme

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. K., 43 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Po nga specialistët e qarkullimit rrugor janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit A. P., 65 vjeç dhe Q. C., 33 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar motomjete pa leje drejtimi dhe pa targa.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori për shtetasin K. C., 20 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin R. B., 39 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier, pasi ish-bashkëshortja e tij ka kallëzuar se ai ka shkelur afatet e vendosura nga Gjykata për mbajtjen e fëmijës së tyre.
Në Komisariatin e Policisë Lushnjë ka bërë kallëzim shtetasja E. T., 38 vjeçe, administratore e një magazine në fshatin Karbunarë, e cila ka deklaruar se në magazinë është vjedhur një shumë parash. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.




