Fier/ Vijon operacioni në “Bankers Petroleum” – 14 urdhër-arreste, 4 zyrtarë kinezë në kërkim

Vijon operacioni i bujshëm policor në kompaninë “Bankers Petroleum” në Fier, i zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Burime zyrtare bëjnë me dije se janë lëshuar 14 urdhër-arreste për drejtues, ish-drejtues dhe zyrtarë të kompanisë, në kuadër të një hetimi të gjerë për mashtrim të dyshuar në dëm të shtetit shqiptar.
Katër prej të arrestuarve janë vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” nga Gjykata e Fierit, ndërsa katër zyrtarë të tjerë me kombësi kineze janë shpallur në kërkim.
Forcat e rendit, të shoqëruara nga një furgon i Tatimeve, janë parë të hyjnë në ambientet e kompanisë gjatë mesditës së sotme, duke vijuar me veprime hetimore intensive.
Burime konfidenciale bëjnë me dije për Fieri Web se në qendër të hetimeve dyshohet ngritja e një skeme mashtrimi që ka shkaktuar humbje financiare për buxhetin e shtetit. Deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga kompania apo institucionet përkatëse mbi akuzat konkrete.
Hetimet janë ende në vijim dhe priten zhvillime të mëtejshme.




