Fier – Vrasja e Çaush Shehajt dy vite më parë, tre të dënuar, Musa Gudo me burgim të përjetshëm

Vrasja e dy viteve më parë e të moshuarit Çaush Shehaj në Patos , ka çuar në dënimin e tre personave të arrestuar nga prokuroria dhe policia e Fierit.
Një javë më parë Gjykata e Fierit deklaroi fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Musa Gudon për akuzën e “Vjedhjes me armë” me pasojë vdekjen e të moshuarit Çaush Shehaj dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Ndërkohë për të njëjtat akuza, me 25 vite burg u dënua nga Gjykata, Ervis Halimi, bashkëpuntori i Musa Gudos.
Ndërsa i mituri Fjorilo Çepele u dënua për “Moskallëzim Krimi” me dy vite burgim. Kurse prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, në pretencën e tij kishte kërkuar për Çepelen deklarikmin fajtor dhe dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e “Vjedhjes me armë” kryer në bashkëpunim.
I moshuari Çaush Shehaj, ndodhej në gjumë kur në datën 19 nëntor 2022 është sulmuar dhe goditur disa herë me shtratin e automatikut, duke i shkaktuar plagë, të cilat i kanë sjellë vdekjen në ambientet e spitalit të Fierit.
Kjo ishte hera e dytë që banesa e tij, sulmohej për tu grabitur, pasi rreth 6 muaj më parë, persona të maskuar I kishin marë një shumë të vogël financiare dhe armën e gjahut çifte, që 89-vjeçari e posedonte me leje nga policia.
I moshuari mbante në banesë një shumë prej 2 milion lekë dhe për këtë gjë është porositur dhe nga nipi i tij, që të largonte nga banesa sasinë e parave.
Nisur nga kjo këshillë, Çaush Shehaj, i ka larguar lekët nga shtëpia duke ja dhënë në ruajtje krushkut të vet. Por 6 muaj nga grabitja e parë u sulmua sërish.
Para se të kryenin krimin e rëndë, tre personat së bashku me të dashurën e Musa Gudos, kanë darkuar në një restorant në fshatin Portëz.
Mandej Halimi, Gudo dhe Çepele, kanë vënë në zbatim planin e sulmit për të grabitur banesën e Çaush Shehaj.
Ky i fundit ndodhej në gjumë kur është goditur mizorisht, ndërsa dy personat Ervis Halimi dhe Musa Gudo, i kërkonin se ku i kishte fshehur paratë e mandej e kanë lidhur në fytyrë me qese.
Për shkak të kësaj situate, i moshuari ka humbur ndjenjat ndërsa banorët e fshatit e kanë gjendur në mëngjes me shenja jete, duke e transportuar me urgjencë në spital, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën.
Musa Gudo burgim të përjetshëm
Ervis Halimi 25 vite burgim
Fjorilo Çepele 2 vite burgim