Fier/ Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Dërmenas: Babë e bir qëllojnë me armë dhe përplasin me makinë nënë e bir, arrestohet 66-vjeçari

Policia e Fierit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 9 prill 2025, pranë mbikalimit të fshatit Dërmenas, ku u plagosën dy shtetas, nënë e bir, si pasojë e një konflikti të mëparshëm.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasit A. C., 66 vjeç dhe djali i tij A. C., 23 vjeç, banues në Dërmenas, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një motomjeti me të cilin udhëtonin shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, banues në fshatin Sulaj. Edhe pse fillimisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga arma, ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se të dy janë dëmtuar nga përplasja e motomjetit me automjetin e drejtuar nga 23-vjeçari.
Pas të shtënave, autori i ri goditi qëllimisht motomjetin me automjetin e tij dhe më pas u largua nga vendngjarja së bashku me babain. Si pasojë e përplasjes, nënë e bir mbetën të plagosur dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar 66-vjeçarin A. C., ndërsa po vijon punën intensive për kapjen e të birit. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale, përfshirë gëzhoja, një automjet dhe 3 celularë që do t’i shërbejnë hetimeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.