FIER/ Zbulohen 2 lokale të tjera ku viheshin baste sportive. Në pranga pronari i një prej lokaleve, tjetri në kërkim.
Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambientet e përshtatura për lojëra fati.
Zbulohen 2 lokale të tjera ku viheshin baste sportive.
Arrestohet pronari i njërit prej lokaleve, punohet për kapjen e pronarit të lokalit tjetër dhe procedohen penalisht 2 shtetas që u kapën duke vënë baste.
Sekuestrohen 5 televizorë, 2 celularë, 2 laptopë, 1 tablet, 1 monitor, 1 skaner dhe 1 printer për bileta, 19 bileta bastesh, si dhe rreth 30 000 lekë që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në fshatin Shën Pjetër dhe në lagjen “Kastriot”, Fier, viheshin baste sportive.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u arrestua në flagrancë pronari i lokalit në fshatin Shën Pjetër, shtetasi O. Ll., 38 vjeç, u shpall në kërkim pronari i lokalit tjetër, shtetasi E. J., 33 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale, shtetasit S. F., 42 vjeç dhe K. M., 26 vjeç.
Punohet për kapjen e 33-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.