Fier – Zjarri në masivin pyjor Lofkënd-Drenie vijon prej katër ditësh, rreziku rritet me afrimin e mesditës

Deri në këto momente, në qarkun Fier është aktive një vatër zjarri në ekonominë pyjore Lofkënd-Drenie, e cila vijon të djegë prej katër ditësh. Sot në terren po operojnë 3 mjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH, 25 trupa të Forcave të Armatosura dhe 20 forca bashkiake.
Zjarri është përqendruar në një zonë masivi pyjor me terren tepër të vështirë, ku është e pamundur ndërhyrja me mjetet zjarrfikëse apo trupat operacionale.
Aktualisht flakët kanë intensitet të ulët, por me fillimin e erës rreth mesditës, rreziku për përshkallëzimin e situatës rritet ndjeshëm. Deri tani, nuk ka banesa apo njësi ekonomike të rrezikuara.
Autoritetet qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm dhe po monitorojnë nga afër ecurinë e zjarrit për të ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.




