Fier – Zjarri në pyjet e Darëzezës drejt shuarjes së plotë, 12 hektarë të djegura

Në ditën e tretë të përballjes me flakët, zjarri në masivin pyjor të Darëzezës është drejt shuarjes së plotë. Sipas përgjegjësit të Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, ndërhyrja e dy helikopterëve Cougar të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët operuan nga ora 09:00 deri në 11:00 të ditës së sotme, ka mundësuar izolimin total të vatrave aktive.
Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja e përfshirë nga flakët ka arritur në rreth 12 hektarë. Fatmirësisht nuk raportohen banesa apo objekte të dëmtuara.
Kreshnik Ymeraj, përgjegjës i Mbrojtjes Civile:
“Pylli i Darëzezës është një zonë që frekuentohet nga shumë qytetarë, të cilët shpesh lënë pas mbetje të rrezikshme për shkaktimin e zjarreve. Apelojmë për më shumë kujdes nga të gjithë pushuesit dhe vizitorët, sidomos gjatë muajve të verës.”
Pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri, operacioni për kontrollin dhe pastrimin e zonës do të vijojë nga trupat tokësore, me qëllim eliminimin përfundimtar të çdo rreziku për riaktivizim të flakëve.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe emergjencat civile në rast se konstatojnë tym apo flakë në pyje apo zona të gjelbërta.