Fierakja e papërmbajtëshme/ Valentina Troka, “Këpuca e Artë” e futbollit të femrave, 66 gola në 18 ndeshje
Në skenën e futbollit të femrave në Shqipëri, një emër ka nisur të shkëlqejë. Ajo është 20 vjeçarja fierake Valentina Troka, sulmuesja e fuqishme e skuadrës së Apolonisë. Me 66 gola të shënuar në 18 ndeshje, Valentina ka dalë shënuesja më e mirë e kampionatit, duke thyer sulmuesen e Vllaznise Megi Doçi e cila prej vitesh fitonte “Këpucën e Artë”.
Ajo është e njohur për përkushtimin dhe punën e palodhshme në stërvitje dhe ndeshje. Konkurrenca me sulmueset e tjera, si Megi Doci, ka shtuar vetëm motivimin e saj për të shënuar sa më shumë gola.
Valentina, sulmuesja shtatlartë, e shpejtë dhe e fuqishme, që në debutimin e saj me kombëtaren nuk ngurroi të shënojë dy gola, duke treguar se talenti dhe dëshira për sukses ishin të pashmangshme në karrierën e saj.
Pavarësisht suksesit të arritur, Valentina mbetet e përqendruar në sfidat që do t’i vijnë në të ardhmen. Objektivat e saj në karrierën futbollistike janë të qëndrojë konstante në performancën e saj, si dhe të bëjë paraqitje sa më dinjitoze me fanelën e Kombëtares në Ligën e Kombeve 2023 . Dhe me aftësitë dhe vendosmërinë e saj, Valentina Troka ka të gjitha arsyet për të besuar se mund t’i arrijë këto objektiva.
“Fieri Sot” interviston Valentinën për tu njohur më mirë me karrieren dhe objektivat e saj per te ardhmen.
Gazetari: Si ndjeheni që keni hyrë në histori duke u bërë shënuesja më e mirë e kampionatit me 66 gola dhe duke lënë pas një sulmuese si Megi Doçi?
Valentina Troka: Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Është rezultat i përkushtimit tim të vazhdueshëm dhe pune të palodhshme në stërvitje dhe ndeshje. Është një nder i madh të fitosh këtë titull dhe jam e kënaqur që kam arritur këtë sukses. Respektoj shumë talentin dhe aftësitë e Megi Doci, por unë fokusohem në performancën time personale dhe në ndihmën që mund të jap për skuadrën time.
Gazetari: Si keni arritur të ruani nivelin tuaj në çdo ndeshje dhe të shënoni kaq shumë gola përkundër konkurrencës së fortë nga sulmueset e tjera?
Valentina Troka: Konkurrenca është gjithmonë e shëndetshme në futboll dhe më shton motivimin për të vazhduar të punoj fort. Është një sfidë e mirë për mua dhe më bën të stërvitem edhe më shumë për të mbajtur nivelin tim sa më të lartë.
Gazetsri: Si filluan të luanit futboll dhe çfarë ju bëri të zgjidhni të luani për Apoloninë?
Valentina Troka: Kam filluar të luaj futboll që në moshë të vogël dhe e kam pasur gjithmonë ëndërrën të bëhem futbolliste profesioniste dhe të përfaqësoj Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Apolonia është ekipi i qytetit tim dhe cdokush e ka enderr te vesh fanelen e saj, një klub me tradita dhe me një histori në futbollin shqiptar. Ishte Apolonia që më rriti si futbolliste, dhe më dha një mundësi të madhe për të zhvilluar karrierën time dhe për të luajtur në nivelin më të lartë në vend.
Gazetari: Si ka qenë përvoja juaj e debutimit me kombëtaren ku dhe shënuat dy gola?
Valentina Troka: Debutimi im me kombëtaren do të jetë një moment i paharruar për mua. Ishte një ëndërr e bërë realitet. Të shënoj dy gola në ndeshjen time të parë ishte një emocion i madh dhe një ndjenjë e pashpjegueshme. Jam krenare për arritjen time dhe për mundësinë për të përfaqësuar vendin tim në arenën ndërkombëtare.
Gazetari: Cilat janë objektivat tuaj dhe si po punoni për t’i arritur ato?
Valentina Troka: Objektivi im kryesor është të vazhdoj të përmirësohem si futbolliste dhe të jem konstante në performancën time. Dëshiroj të jap maksimumin tim në çdo ndeshje dhe të ndihmoj skuadrën time të arrijë sukses. Gjithashtu, dëshiroj të përfaqësoj kombëtaren tonë në turnet ndërkombëtare dhe të luaj për klube të mëdha jashtë Shqipërisë.